Koncepti
Edicioni 4 i T.I.C.A.B – Bienale Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor e Tiranës. EFICENCA SIMBOLIKE E KORNIZES Shtator – Tetor 2009 Ky nocion na shërben si pikënisje për të hapur një diskutim mbi natyrën komplekse të 'reales' dhe 'realitetit' dhe mënyrave të ndryshme se si ne i perceptojmë ato dhe i lidhim me historinë tonë. Pamvarësisht nga këndi i vështrimit apo metodologjia e përdorur – qoftë kjo shkencore, estetike apo filozofike – ajo ç’ka na intereson janë hendeqet që shfaqen në këtë proces perceptimi në ndryshim të vazhdueshëm. “Korniza” apo ideja e kornizës është diçka që ne përdorim me qëllim që të shquajmë, përkufizojmë apo të nxjerrim në pah. Me pak fjalë, korniza apo procesi i kornizimit është mënyra jonë për të krijuar një marrëdhënie me thelbin e pakapshëm të realitetit që na rrethon. Nga ky këndvështrim, korniza nuk është më thjesht një objekt i prekshëm, por mbi të gjitha një konstruksion mendor, një mënyre që na ndihmon (ose na pengon) në perceptimin e botës dhe shoqërisë përreth nesh. Duke folur për realitetin dhe dukjet e tij në librin “Pamja e Parallaksit”, filozofi Slavoj Zhizhek përmend si shembull një ndërtesë në formë teatri të hapur të ndërtuar në kufirin mes Koresë se Jugut dhe asaj të Veriut, në skenën e së cilës ndodhet vetëm një mur me një “dritare” të hapur që shikon përtej në zonën e shkretë që ndan dy Koretë. Zhizhek ngre pyetjen: “A nuk është kjo dritare shembulli i përsosur i efiçencës simbolike të kornizës? Një zone të shkretë i jepet një status fantazmik dhe kthehet në spektakël vetëm duke i vendosur një kornizë. Në thelb këtu nuk ndryshon asgjë – e vetmja gjë është se i parë përmes kornizës, realiteti kthehet në shëmbëlltyrë të vetvetes.” Ai vazhdon duke thënë se: “…nuk mjafton më që thjesht të zbulojmë mekanizmin që qëndron pas kornizës. Efekti skenik i përftuar në pamjen brenda kornizës, tashmë fiton një autonomi të tijën.” Si duhet ta kuptojmë situatën tonë globale të ditëve të sotme atëherë? A duhet të besojmë në premtimin e “gëzueshëm” për një “botë të re konsensuale”, të përshkruar nga shumë njerëz si e ardhmja e pashmangshme e një bote post-politike, apo mos vallë duhet ta “ri-kornizojmë” këtë pamje që na kanë vendosur para syve? Sa larg mund të na çojnë shkencat kognitive në procesin e ndërlikuar të njohjes së vetvetes, të formimit të identiteteve apo në njohjen e të tjera problemeve të qënies njerëzore? “Ç’korniza” mund të përdorim për të na mundësuar një lexim më të thellë e të larmishëm të realitetit?Si pikënisje fizike të përpjekjes tonë ne do të kemi ndërtesën e boshatisur të Hotel Dajtit. I gjendur në qendër të qytetit, dikur i shkëlqyeshmi Hotel Dajti, dergjet në pritje të transformimit të tij të ardhshëm. Një monument kulture historik dhe arkitekturor, një dëshmitar i heshtur por i gjallë i ideologjive dhe strukturave të pushtetit që e ndërtuan dhe e përdorën përgjatë viteve, Hotel Dajti me muret dhe dyshemetë e tij të lodhura, është një “kornizë simbolike” e përsosur. Duke ftuar artistët të ndërveprojnë me hotelin dhe historinë e tij, ne shpresojmë të ndërpresim rrjedhjen e pandalshme të kohës në të cilën ka hyrë Dajti. Ne shpresojmë që këto ndërveprime të krijojnë hapësirat e duhura përmes të cilave ne do të mund të shmangim leximin e njëtrajtshëm të historisë, duke u hapur ndaj kritikës dhe analizës së të kaluarës historike dhe të tashmes kinse “jo-ideologjike”. Ne shpresojmë që ky ndërveprim të inkurajojë imagjinatën dhe të na shtyjë drejt një të kuptuari më të thellë të situatës sonë globale. Edi Muka dhe Joa LjungbergDrejtorë artistikë të TICAB – Bienale e Artit Bashkëkohor të Tiranës, 2009 ![]() |
![]() |