Episodi 1 - Efiçenca simbolike e kornizës

Episodi 1 Kuruar nga: Joa Ljungberg dhe Edi Muka


Artistët pjesëmarrës:
Franz Ackermann / Jane Alexander / Silva Agostini / Yael Bartana / Kimberly Clark / Gazmend Ejupi / Cao Fei / Yang Fudong / Shilpa Gupta / Jun Nguyen-Hatsushiba / Thomas Hirschhorn / Adam Leech / Ardian Isufi / Tala Madani / Ursula Mayer / Oskar Mörnerud / Erik Olofsen / Adrian Paci / Anila Rubiku / Alexander Vaindorf
Ne marrim këtë nocion si pikënisje për të hapur një diskutim mbi natyrën komplekse dhe shfaqjet e ndryshme të “reales”. Pamvarësisht nga këndi i vështrimit apo metodologjia e përdorur – qoftë kjo shkencore, estetike apo filozofike – ajo ç’ka na intereson janë hendeqet që shfaqen në këtë proces perceptimi në ndryshim të vazhdueshëm. “Korniza” apo ideja e kornizës është diçka që ne përdorim me qëllim që të shquajmë, përkufizojmë apo të nxjerrim në pah dhe procesi i kornizimit është mënyra jonë për të krijuar një marrëdhënie me këtë botë globale, në dukje të vogël, por që ngelet e pakapshme.


Duke folur për realitetin dhe dukjet e tij në librin “Pamja e Parallaksit”, filozofi Slavoj Zhizhek përmend si shembull një ndërtesë në formë teatri të hapur të ndërtuar në kufirin mes Koresë se Jugut dhe asaj të Veriut, në skenën e së cilës ndodhet vetëm një mur me një “dritare” të hapur që shikon përtej në zonën e shkretë që ndan dy Koretë. Zhizhek ngre pyetjen: “A nuk është kjo dritare shembulli i përsosur i efiçencës simbolike të kornizës? Një zone të shkretë i jepet një status fantazmik dhe kthehet në spektakël vetëm duke i vendosur një kornizë. Në thelb këtu nuk ndryshon asgjë – e vetmja gjë është se i parë përmes kornizës, realiteti kthehet në shëmbëlltyrë të vetvetes.” Ai vazhdon duke thënë se: “…nuk mjafton më që thjesht të zbulojmë mekanizmin që qëndron pas kornizës. Efekti skenik i përftuar në pamjen brenda kornizës, tashmë fiton një autonomi të tijën.”


Si duhet ta kuptojmë situatën tonë globale të ditëve të sotme atëherë? A duhet të besojmë në premtimin e “gëzueshëm” për një “botë të re konsensuale”, të përshkruar nga shumë njerëz si e ardhmja e pashmangshme e një bote post-politike, apo mos vallë duhet ta “ri-kornizojmë” këtë pamje që na kanë vendosur para syve? Sa larg mund të na çojnë shkencat kognitive në procesin e ndërlikuar të njohjes së vetvetes, të formimit të identiteteve apo në njohjen e të tjera problemeve të qënies njerëzore? “Ç’korniza” mund të përdorim për të na mundësuar një lexim më të thellë e të larmishëm të realitetit?