Home

Alketa Ramaj, Donika Çina, Sokol Peçi
E premte, 2 Dhjetor 2011, ora 18:00, Galeria ZETA

TICA – Instituti i Artit Bashkëkohor, Tiranë dhe Galeria Zeta paraqesin ekspozitën përmbyllëse të programit të Artistëve në Rezidencë për vitin 2011. Artistët e Rezidencës #7, të përzgjedhur mes pjesëmarrësve të cmimit për artistët e rinj bashkëkohor, ARDHJE 2011, kanë zhvilluar kërkimin e tyre artistik në programin e rezidencës së TICA, përgjatë muajve Shtator – Tetor.
Të tre artistët pjesëmarrës kanë ndjekur rrugën e tyre individuale në qasjen e formulimit të ideve mbi të cilat u zhvillua kërkimi gjatë muajve të rezidencës. Sidoqoftë, procesi i kërkimit dhe realizimit të ideve u shoqërua nga një numur takimesh, ballafaqimesh dhe diskutimesh mes tyre, për përditësimin e njëri-tjetrit mbi fazën në të cilën gjendej puna, apo dhe për shkëmbimin e ideve dhe sugjerimeve në lidhje me rezultatin përfundimtar.

Kështu Alketa Ramaj eksperimenton me marrëdhënien mes imazhit dhe tekstit, duke u përqëndruar në procesin e perceptimit. Pasi ka realizuar një seri fotografish, subjekti i të cilave është marrëdhënia e trupit me mjedisin rrethues, Ramaj i kërkon disa njerëzve me profesione të ndryshme të reagojnë ndaj fotografive me një tekst, i cili duhet të përmbledhë përshtypjen e parë, mundësisht të pa redaktuar. Duke ekspozuar së bashku, fotot dhe tekstet e përftuara, Ramaj kërkon të zbulojë marrëdhënien mes të dukshmes dhe të thënës, mes asaj c’ka shohim dhe asaj c’ka fshihet, por që shfaqet në imagjinatë. Me një fjalë, Ramaj përpiqet të zbulojë mekanizmat që i japin formë perceptimit tonë të botës apo realitetit që na rrethon.

Donika Cina ndjek përmes videokamerës së saj një orë mësimi violine. Në qendër të vëmendjes së Cinës nuk është procesi automat i përsëritjes së një ushtrimi, por shndërrimi që merr jetë përmes përsëritjes. Duke ndërhyrë përmes montazhit, Cina e përqëndron vëmendjen tonë si shikues në obsesionin që qëndron në thelb të përsëritjes. Ajo nuk interesohet të dokumentojë një orë mësimi, port ë krijojë një ndjenjë ankthi dhe parehatie, e cila përcillet përmes ndërprerjeve të vazhdueshme, në dukje të pakuptimta të violinistes së vogël. Në fjalët e vetë autores: “Me kete kaos tingujsh dhe kakofoni ne sfond po perpiqem te krijoj nje muzike te re jo perfekte.”
Sokol Peci në propozimin e tij përcjell një shqetësim gjithmonë e më të pranishëm në botën tonë globale – marrëdhënien e njeriut me natyrën. Duke u përqëndruar në efektin shkatërrimtar që njeriu ka patur mbi natyrën, si dhe mbi përshpejtimin e këtij procesi shkatërrues në kohën  tonë të kapitalizmit neoliberal, Peci propozon një prototip utopik, i cili synon të lehtësojë bashkëjetesën e njeriut me natyrën. SKB nuk është thjesht një propozim për “shtimin e hapësirave të gjelbëra”, por një propozim që synon ti celë rrugë imagjinatës për të ndërmjetësuar një hapësirë ku njeriu dhe natyra mund të bashkëjetojnë edhe brenda kushteve të zhvillimit të pandalshëm të mega-qyteteve prej betoni të botës globale. SKB është një përpjekje për “c’shtresëzimin e vetëdijes” tonë, për kthimin e vëmendjes ndaj kushtit primordial të ekzistencës së njeriut – marrëdhënies së tij me natyrën.

Programi i Artistëve në Rezidencë i TICA për të dytin vit radhazi realizohet falë mbështetjes bujare të FAVA – Fondacionit për Artet Pamore në Shqipëri.

 

NJOFTIM PER SHTYP

ALTERAZIONI VIDEO

EXPOZITE PERSONALE NE TIRANE

25 Qershor – 18 Korrik 2011

Kuruar nga Claudia Zanfi (Director of aMAZElab Milan) dhe Edi Muka (Bashkëdrejtor dhe Kurator i TICA – Instituti i Artit Bashkekohor, Tiranë)

Në kuadrin e ekspozitës së tyre të parë personale në Tiranë me titull “Tirana Alternative”, pjesë e projektit Arkipelagu i Ballkanit, të ideuar nga Clauda Zanfi dhe të realizuar në bashkëpunim me Zyrën e Kulturës të Komunitetit Europian, grupi ndërkombëtar i artistëve Alterazioni Video (Milan/Berlin/NYC) paraqet një project të përbërë nga rreth 500 foto Polaroid, të realizuara nga artistët gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri në 2010. Gjatë udhëtimit të tyre artistët vëzhguan realitetin që i rrethonte, me sytë e vëzhguesit të jashtëm, që nuk është banor i atij vendi. Të gjithë udhëtarët në përgjithësi përjetojnë një gjendje mendore prodhuese me një vëzhgim imagjinar aktiv, kur përballen me realitetin e një vendi të huaj, ndoshta si pasojë e faktit që nuk arrijnë ta kuptojnë këtë realitet tërësisht.

Një mori fotosh të marra me një teknikë risore na shfaqin imazhe nga qytete, plazhe, pamje marramendëëse, kampe pushimi, dasma, situata të përditëshme apo dhe intime që tregojnë për njerëz dhe jetë, për planet e mëdha që ata kanë për të ardhmen e tyre përzier me gjurmë nga e kaluara. Të gjitha këto së bashku shpalosin një gjurmim original të territorit dhe një portret të përzemërt të vendit, të parë përmes syve të vetë banorëve të tij.

Në ditën e hapjes do të mbahet gjithashtu edhe “Lavazh Special Parti”, një performancë dhe instalacion ku të gjithë qytetarët e Tiranës janë të ftuar të sjellin makinat e tyre dhe të marrin pjesë në një session kolektiv larje makinash. Materialet e mëtejshme janë në dispozicion: ujë, sapun larës, sfungjerë, fshesa me korent dhe cdo gjë tjetër që të duhet për ta bërë makinën xixë, brenda dhe jashtë. Me këtë rast do të prodhohen një numur bluzash dhe posterash për të njoftuar ngjarjen, ndërsa dokumentimi në video i performancës do të shfaqet në ekspozitën e instaluar tek Galeria Zeta.

Gjithashtu, ditën e Mërkurë, dt. 22.06.11, në orën 20.30, Alterazioni Video do të prezantojnë krijimtarinë e tyre në përgjithësi, projektin e gjerë Arkipelagu i Ballkanit, si dhe detaje të mëtejshme në lidhje me performancën. Prezantimi realizohet në bashkëpunim me Tirana Express Art Space, në mjedisin e kinemasë verore të Tirana Express.

Alterazioni Video është një grup artistësh i themeluar në Milano në 2003. Ky grup ka shfaqur në shumë ekspozita, përfshirë Bienalen e 52-të të Venecias, Manifesta 7 (Rovereto), Performa 09 (New York), Fondacioni Sandretto Re Rebaudengo (Torino) dhe Moderna Galerija (Ljubljana) - www.alterazionivideo.com

 


Shpallja e fitueses të Cmimit ARDHJE për këtë vit

Më 16 maj 2011, gjatë hapjes së edicionit të pestë të Çmimit ”ARDHJE” të Artit Bashkë kohor në Shqipëri, juria ndërkombëtare e përbërë nga Alessandra Pioselli, kuratore dhe Drejtore e Akademisë Carrara të Bergamos në Itali, Vladimir Myrtezai, artist dhe profesor i Atelierit të Multimedias në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe Stefano Romano, artist, kurator dhe prof...esor në Universitetin Polis në Tiranë vlerësoi Ledia Kostandinin si fituese të çmimit të këtij viti. Finalistët e tjerë ishin: Armando Lulaj, Ilir Kaso, Olson Lamaj, Silva Agostini, Sokol Peçi, Yllka Gjollesha.

Motivacioni i jurisë për këtë vit

”Mbasi vlerësuan kërkimin artistik dhe veprat e shtatë artistëve, të përzgjedhur ndër 36 aplikime, Juria ka dhënë çmimin në bazë të kritereve të mëposhtme:

Juria vë në dukje cilësinë e lartë të të gjithë veprave. Për këtë arsye vendimi është peshuar e menduar gjatë e kjo mori shumë kohë.

Juria zgjodhi të japë çmimin duke vlerësuar koherencën e kërkimit artistik, qartësinë e objektivave, koherencën ndërmjet konceptit dhe formës tek veprat, mundësinë e ecurisë dhe rritjes, të bindur se për artisten e përzgjedhur për rezidencën në NY do të jetë një mundësi për një zhvillim të mëtejshëm të krijimtarisë së saj.

Juria e ka konsideruar të vlefshëm përdorimin e materialeve të arkivës të bërë prej artistëve të përzgjedhur për çmimin, aftësisë për të përvijuar lidhje ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, dhe të artikulimit të kërkimit në një kah shumë personal nëpërmjet mediumeve të ndryshme, prej pikturave te instalacioni, te fotografia.

Juria ka nderin të shpallë se fituesi i edicionit Ardhje 2011 është Ledia Kostandini dhe i uron asaj një qëndrim të frytshëm në NY.

Juria dëshëron të falenderojë gjithashtu TICA, Zeta galeri dhe galerinë FAP”.

RRETH ÇMIMIT ARDHJE

Që prej fillimit të tij në vitin 2007, Çmimi ARDHJE është kthyer në një veprimtari të rëndësishme kushtuar punës dhe krijimtarisë së artistëve të rinj shqiptarë. I krijuar nga TICA – Instituti i Artit Bashkëkohor, Tiranë, në bashkëpunim me FCS – Fondacionin për Shoqëri Civile në New York, Çmimi ARDHJE është një çmim profesionist për artin bashkëkohor, i cili konsiston në një rezidencë 6 – javore për fituesin, në New York City të SH.B.A të siguruar nga FCS. Çmimi ARDHJE ndërtohet vetëm mbi punën e realizuar në mënyrë të pamvarur nga vetë artistët, dhe me të vetmin qëllim, nxitjen e krijimtarisë së lirë artistike dhe krijimin e kushteve më të mira për ekspozim, prodhim punësh dhe vendosje kontaktesh me profesionistë nga bota.

Që prej vitit 2008, ekspozita e Grand Finales së çmimit ARDHJE organizohet në bashkëpunim me Galerinë Zeta.

Ekspozita u realizua në bashkëpunim me Akademinë e Arteve në Tiranë dhe u mundësua nga mbështetja bujare e:

Fondacionit FAVA – Foundation for Albanian Visual Arts (Fondacioni per Artet Pamore Shqiptare), që ofron mbështetje për artin, artistët dhe iniciativat e pamvarura në Shqipëri.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 16 – 24 maj 2011.

 

 

Foto Galeri (kliko ketu)